Mbrojtësi i Kombëtares tregon çelësin e fitores: Po merreshim me gjyqtarin, u kthyem në kafshë

Almeria po kalon një moment shumë të mirë në kampionatin spanjoll dhe është konfirmuar si një nga skuadrat që mund të rivalizojë për t’u ngjitur sezonin tjetër në La Liga. Skuadra e Almerias drejtohet nga legjenda Guti dhe pjesë e kësaj skuadre, është edhe mbrojtësi i Kombëtares, Ivan Balliu i cili po luan rregullisht dhe është kthyer në titullar të padiskutueshëm.

Në javën e fundit, Almeria po mundej në pjesën e parë 0-1 por gjithsesi arriti ta kthente rezultatin në 3-1. Në përfundim të ndeshjes, Ivan Balliu doli para mediave dhe foli për ndeshjen duke zbuluar edhe mënyrën se si trajneri Guti i kishte motivuar para se të hynin në fushë duke përmbysur rezultatin në 3-1.

“Në pjesën e parë ne gabuam duke u fokusuar më shumë te gjyqtari por pas pushimit u qetësuam. Në pushim erdhi trajneri dhe na kërkoi që të silleshim si kafshë në fushë. Ishte një përmbysje që duhet mbajtur mend dhe pamë festën e futbollistëve. E dinim që do të rrezikonim por trajneri bëri zgjedhjet e duhura”, u shpreh Balliu. /Erjon Allaraj-VipSport.al/