Lerda pro rezultateve 1-0: Nuk kemi probleme me sulmuesit, rezultatet pozitive na kanë rritur më shumë

Partizani luan nesër në transfertë kundër Bylisit. Skuadra e drejtuar nga Lerda do të kërkojë vazhdimësinë në një transfertë delikate ndërkohë që në prag të këtij takimi, trajneri italian ka dalë para mediave.

Franko Lerda u shpreh se skuadra nuk i trembet asnjë kundërshtari. Ai shtoi se ndaj Bylisit do të hyjnë vetëm për fitore teksa shtoi se për derbin ende nuk kanë nisur të mendojnë.

“Bylis? Bylisi është një skuadër që po bën mirë. Është një nga surprizat e sezonit. Më ka lënë përshtypje të mirë në Tiranë. Do jenë të motivuar prej dy humbjeve. Ekipi ynë duhet të jetë i përqendruar dhe të japë maksimumin.

Mungesa e golave? Nuk e kam thënë kurrë se kemi probleme me sulmuesit. Flas gjithmonë për skuadrën, jo për sulmuesit. Kam thënë që duhet të jemi konkretë, jo vetëm sulmuesit. Pse të shqetësohem për fitoret 1-0. Firmos t’i fitoj me këtë rezultat të gjitha ndeshjet.

Jemi përgatitur për të bërë mirë, kemi punuar taktikisht dhe fizikisht. Është e vështirë të imagjinosh si do dalë ndeshja. skuadra është rritur dhe grupi është i shëndoshë. Rezultatet e kanë rritur skuadrën në aspektin psikologjik.

Formacioni? Nuk di të them diçka për formacionin, të shohim. Vendosim deri nesër për ata që e nisin nga fillimi. Nuk është e thënë të mos ndryshojë formacioni fitues. Kemi punuar psikologjikisht dhe mendoj se lojtarët janë gati.

Derbi? Çdo ndeshje është e rëndësishme. Edhe pse luajmë derbin javën tjetër, kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë. E respektojmë, por nuk kemi frikë. Duhet të respektojmë veten dhe të japim më të mirën ndaj Bylisit.

Barazimi? Nuk mendoj për barazimin, gjithmonë futemi në fushë për të fituar. Nuk e di si del rezultati, di që dua të fitoj. Çfarë ndodh në fushë nuk e di. Ti a mërzitesh kur barazon në kalçeto me shokët? Unë jo për vete. Partizanin gjithmonë e përgatis për të marrë fitoren”.

Merkatoja? Nuk e kemi mendjen te merkato, është herët. Të shohim ndeshjen e radhës me Bylisin.

Klasifikimi? Kampionati është i ekuilibruar, nuk ka shumë shkëputje. Të gjitha skuadrat janë aty, përveç Flamurtarit dhe Luftëtarit. Me dy ndeshje ngjitesh në krye dhe nuk e mendojmë diferencën me skuadrat e tjera”, tha Lerda. /VipSport.al/