Legjenda e Partizanit motivon të kuqtë para Tiranës: Derbi nuk luhet por fitohet, jemi në kushte për t’i mundur

Të premten do të luhet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës dhe pas një mungese të gjatë, rikthehen në vendin ku dikur ngrihej “Qemal Stafa” teksa tashmë stadiumi i ri njihet me emrin “Air Albania”. Dy skuadrat do të provojnë të marrin më të mirën në këtë ndeshje që ka rëndësi jo vetëm për objektivat dhe ecurinë por edhe për krenarinë e qytetit.

Partizani ka vite që fiton dhe natyrisht duke parë edhe formën e dy skuadrave, edhe në këtë ndeshje vjen si favorit pavarësisht se shpesh derbit kanë treguar që nuk ka favorit. Mbështetje për të kuqtë ka dhënë dhe ish-futbollisti, Edmond Dosti i cili shprehet se skuadra e kuqe është në kushtet që të fitojë edhe këtë derbi duke iu kujtuar se derbi fitohet dhe nuk luhet.

“Të premten luajmë një ndeshje deçizive për ecurinë e Kampionatit kundër Tiranës është një kundërshtar i përjetshëm që ka shumë probleme për momentin, por nuk duhet nënvlerësuar, por ne jemi në kushtet që mund t’i mposhtim. Nëse jemi të përqendruar dhe të bindur për sukses, atëherë do t’ia dalim. Unë mendoj se djemtë janë gati për të përballuar ndeshjen e derbit dhe besoj shumë te fitorja.

Ne (ish pjesëtar te klubit dhe tifozët) po mundohemi t’i transmetojmë skuadrës besim dhe ta rrisim nga ana mentale e psikologjike. Ka shumë rëndësi që në fushë të zbresim me bindjen se mund ta mposhtim kundërshtarin, sepse ne jemi Kampionët, ne jemi një Familje e madhe me emrin Partizani. Suksese dhe me nje fitore. PMTP! Derbi nuk është një ndeshje për t’u luajtur, por për t’u fituar. Ne jemi Kampionët”, shkruan Dosti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/