Legjenda e Junajtid sulmon teknikun aktual të Arsenal: Veshja e tij tregon se nuk është i duhuri

Shumë trajnerë kanë stilin e tyre në veshjet gjatë ditës së ndeshjes. Ka nga ata të cilët janë gjithnjë seriozë dhe me kostum, ndërsa janë edhe trajnerë si Klop apo Sarri të cilët preferojnë kostumin sportiv. Kostumin sportiv e ka menduar si të duhurin edhe trajneri aktual i Arsenalit, Fredi Ljunberg. Ish-futbollisti ka marrë drejtimin e përkohshëm të topçinjve pas shkarkimit të Unai Emeri.

Megjithatë, suedezi përveç faktit se dështoi të debutonte me fitore duke u ndalur në barazim përballë Noruiç, ka marrë kritika nga Poll Skolls për mënyrën e veshjes. Pas ndeshjes, legjenda e Mançester Junajtid është shprehur se veshja e Ljunberg nuk ishte e përshtatshme dhe se ai nuk është i duhuri për rolin e trajnerit.  

“ Mendoja se ai do të dilte në ndeshjen e parë me një kostum, që të tregonte krenarinë për vendin e punës. Për mua është perfekte një këmishë dhe kravatë për të treguar disiplinë. Mendoj se nuk do të jetë njeriu i duhur”, u shpreh Skolls. /Egi Çabeli-VipSport.al/