Kumbulla ia del të rikuperohet në kohë, mbrojtësi rikthehet për “derbin shqiptar”

Marash Kumbulla ia ka dalë të jetë i gatshëm për skuadrën e Veronës për këtë fundjavë. Në një kohë kur skuadra e tij po goditet nga dëmtimet e shumta, Kumbulla ishte padyshim një nga më të rëndësishmit pasi së bashku me Rrahmanin në mbrojtje, kanë arritur të jenë ndër mbrojtjet më të mira në Itali.

Mediat italiane raportojnë se Kumbulla e ka lënë pas dëmtimin e pësuar pak javë më parë dhe është i grumbulluar për ndeshjen në Begamo kundër Atalantës. Në stërvitjen e fundit para ndeshjes, trajneri do të vendosë në lidhje me mbrojtësin e talentuar duke qenë se nuk duhet ta rëndojë më shumë gjendjen fizike të tij megjithëse mjekët japin garanci se gjithçka ka kaluar.

Kumbulla mund të marrë në ndeshjen kundër Atalantës së Gjimshitit disa minuta për t’u rikthyer sërish në formën që ishte para dëmtimit. Skuadra e Veronës po bën një sezon të mirë duke marrë pikë të rëndësishme dhe aktualisht e sheh veten larg zonës së rënies nga kategoria. /Erjon Allaraj-VipSport.al/