Kosova, Gjilani dhe Flamurtari, Veliu përcakton edhe luftën për titull në Superiore

Një karrierë e nisur te Flamurtari, aty ku ka luajtur si titullarë që në moshën 19-vjeçare, e madje ka “prekur” Shpresat, por edhe Kombëtaren me kuqezinjtë. Më pas ka provuar që të luajë edhe jashtë Vlorës, me Kukësin e Partizanin, ndërsa për herë të parë, karrierën jashtë kufijve e ka nisur me Gjilanin në Kosovë…!

Aty ka gjetur edhe ish-trajnerin e tij te Flamurtari, Gentian Mezanin, ndërsa ka edhe shumë lojtarë me të cilët ka qenë shok skuadre apo dhe kundërshtarë në Superiore ndër vite si: Progni, Bushiç, Frashëri, Shameti, apo dhe Rapa e Xhekson apo Ruçi. Në një prononcim për “Rtshsport”, tashmë që pjesa e parë e këtij kampionati është mbyllur në IPKO Superligë, Veliu analizon kampionatin atje, por edhe perspektivën që kanë për futbollin në Kosovë…

Eksperienca e re

“Mendoj se është një “pjacë” e re për të gjithë futbollistët sepse ka rritje vit pas viti si nivel. Si në infrastrukturë, ashtu edhe në sistemet zinxhirë, pasi po punohet shumë edhe me moshat. Besoj se për një 3-vjeçar do të jetë goxha mirë edhe kampionati kosovar për të gjithë futbollistët që do të kërkojnë që të luajnë në shtetin fqinj”.

Ecuria

“Është një ecuri pozitive, por mund të kishim edhe më shumë pikë me pak kujdes. Futbolli i tillë është, ndonëse ne kemi si objektiv që të marrim maksimumin e pikve, pasi drejtuesit e klubit kanë investuar dhe synimet janë madhore”, – tha Veliu mes të tjerash.

Superliga

Franc Veliu ka luajtur për një dekadë e gjysmë në elitën e futbollit shqiptar, e natyrisht që ka keqardhje të madhe për Flamurtarin, por edhe për Kukësin. “Më vjen shumë keq që e shoh Flamurtarin në këtë gjendje dhe që t’i rrisë më shumë shpresat e mbijetesës, duhet ë të bëj patjetër ndërhyrje në merkaton e janarit. Shpresoj që të lëvizi diçka, sepse në pozitat që është e ka shumë të vështirë që të mbijetojë”.

Titulli

Veliu ka luajtur me skuadra elite në vendin tonë, ndërsa i pyetur se si e sheh garën për titull këtë sezon, ai shtoi se: “Ndërsa në betejën për titullin shoh Kukësin, Partizanin apo dhe Teutën”, – tha në fund të prononcimit, Franc Veliu, mbrojtësi shtatlartë që në verën e shkuar la Vlorën për të firmosur në Kosovë me Gjilanin me pretendime madhore.

E.Saliu/Vipsport.al/