Kërkesa rekord për një biletë në derbi, “Air Albania” po shkon drejt “Sold Out”

Pas shumë vitesh mungesë, derbi më në fund rikthehet në ish-stadiumin “Qemal Stafa” që tashmë njihet me emrin “Air Albania”. I inauguruar vetëm pak ditë më parë në ndeshjen kundër Francës, stadiumi i ri kombëtar po përgatitet për të pritur një tjetër ndeshje të madhe dhe me një interesim të jashtëzakonshëm tifozësh.

Klubi i Partizanit që është njëkohësisht edhe organizator i këtij derbi, njofton se deri më tani janë shitur plot 19 mijë bileta. Kjo kërkesë për një biletë, është padyshim një rekord dhe duket se stadiumi po shkon drejt “Sold Out” pasi kanë mbetur edhe 3 orë deri në fillimin e ndeshjes.

Tribunat pas porte u janë dhënë tifogrupeve përkatëse teksa njëra pjesë e stadiumit do të qëndrojë e mbyllur për shkaqe sigurie. Sakaq, pjesa më e madhe e stadiumit i përket tifozerisë së Partizanit që është edhe ekipi pritës në këtë derbi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/