“Italiani” Elvis Kabashi siguron të ardhmen në Serinë C, më në fund firmos një kontratë afatgjatë

Shtatë skuadra në vetëm 6 vite karrierë si futbollist, shpesh duke qëndruar pak javë e luajtur pak minuta në secilën prej tyre. Kjo ka qenë trajektorja e karrierës së Elvis Kabashit i cili kishte kaluar sa në një ekip në tjetrin që në moshë të re, në vitin 2013, kur vendosi se ishte shumë i mirë për Shqipërinë dhe se do të luante vetëm për Italinë.

Një rrugëtim që e çoi edhe në Holandë e Rumani, pa harruar këtu eksperiencat në kategoritë e ulëta italiane. Më në fund duket se ai ka gjetur “oazin” e tij, një skuadër e cila do t’i besojë një fanellë për shumë vite. Lojtari iu bashkua Renate në Serinë C në verë dhe atje po paraqitet mirë duke luajtur rregullisht.

Ndaj klubi ka vendosur që t’i ofrojë një kontratë afatgjatë lojtarit dhe sot ka nënshkruar rinovimin me të. “Klubi i Renate komunikon se ka arritur akordin për zgjatjen e kontratës me futbollistin Elvis Kabashi. Mesfushori i datëlindjes 1994, deri tani thelbësor në lojën e zikaltërve, me 3 gola mes kampionatit dhe Kupës në 18 ndeshje zyrtare, ka nënshkruar një kontratë të re me klubin, falë të cilës lidhet me të deri në qershor 2022”, shkruhej në njoftimin e Renate. /vipsport.al/