Ishte protagonist i shkarkimit të Ançelotit, Edi Reja vazhdon si këshilltar te Napoli

Edhe Edi Reja ka qenë i pranishëm në mbledhjen e famshme që u zhvillua mbrëmë në orët e vona të natës në Napoli dhe ku u vendos përfundimisht që Karlo Ançeloti të mos ishte më trajneri i kësaj skuadre. Tekniku i përfaqësueses shqiptare, i përfshirë në të kaluarën edhe në listën e atyre që mund të merrnin drejtimin e klubit në rast largimi të Ançelotit, ka qenë i pranishëm në atë mbeldhje si “këshilltar” i presidentit Aurelio De Laurentis me të cilin ka një lidhje shumë të ngushtë.

Ky i fundit e kishte ftuar në ndeshjen e Ligës së Kampioneve duke e bërë pjesë të ceremonisë për të nderuar Marek Hamshik, por pas ndeshjes, ai dhe Reja i janë drejtuar hotel “Vesuvio”. Aty, pak orë më vonë sipas mediave italiane, u është bashkuar edhe vetë Karlo Ançeloti, i cili deri në ato momente insistonte të vazhdonte në stolin e Napolit. “Tuttosport” bën të ditur se në ballafaqimin mes De Laurentis dhe Ançelotit ishte edhe Reja, i cili prej kohësh këshillon presidentin mbi strategjitë që duhet të zgjedhë klubi.

Në fund të asaj mbledhje u mor vendimi për shkarkimin e Ançelotit dhe emërimin e një trajneri të ri, Xhenaro Gatuzos. Vetë Reja është larguar sot nga hotel “Vesuvio” ku ka kaluar natën, por pa pranuar të japë prononcime për mediat rreth kësaj situate në të cilën ishte edhe ai i përfshirë. /vipsport.al/