Interit i rikthehen makthet me menaxherët, Lautaro luan dy ndeshjet e sezonit

Sezonin e shkuar, Interi provoi me çdo kusht që të rinovonte kontratën me kapitenin e asaj kohe Mauro Ikardi, por Uanda Nara që është bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e futbollistit, kishte kërkesa të shumta dhe akordi nuk u arrit kurrë. Megjithatë, largimin e Ikardit e kanë zëvendësuar më së miri Lautaro dhe Lukaku duke qenë se të dy futbollistët po shënojnë rregullisht.

Për Lautaron, ka oferta të shumta dhe është Barcelona skuadra më e interesuar për shërbimet e tij. Katalanasit synojnë të sigurojnë shërbimet e argjentinasit duke tentuar të përfitojnë para se ky të rinovojë kontratën. Aktualisht, Lautaro ka një klauzolë që arrin në 111 milionë euro dhe Barcelona do të ishte e gatshme ta paguante në verë.

Sakaq, sot në “San Siro” zikaltërit luajnë kundër Romës dhe në shkallët e stadiumit do të jenë menaxherët e tij, Beto Jake dhe Rolando Zarate. Dy menaxherët do të flasin me drejtuesit e Interit për të ardhmen e futbollistit ndërkohë që pritet të jenë edhe kundër Barcelonës në stadium. Kjo prezencë e tyre, nuk i pëlqen aspak klubit zikaltër sepse bëhet fjalë për merkato dhe në dy ndeshjet më të rëndësishme të kësaj faze, futbollisti nuk duhet kurrsesi të humbasë përqendrimin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/