Gjimshiti konfirmohet titullar i padiskutueshëm, Gasperini i jep besim në ndeshjen më të rëndësishme

Atalanta do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve përballë Shakhtar Donjeskut dhe bergamaskët, shpresojnë që kjo të mos jetë e fundit duke qenë se mbyllet faza në grupe. zikaltërkit duhet të fitojnë me çdo kusht në transfertën e vështirë ukrainase dhe të shpresojnë që edhe Mançester Siti të mos mundet në Zagreb.

Situata në grupin C është e hapur për vendin e dytë aty ku diferenca mes skuadrave është me nga një pikë. Një fitore e Atalantës dhe barazim ose humbje e Dinamo Zagrebit, do të lejonte italianët të kalojnë në turin tjetër. Ndërkohë, Gasperini ka konfirmuar edhe një herë tjetër Berat Gjimshitin si titullar.

Mbrojtësi i Kombëtares është kthyer në protagonist te skuadra bergamaske dhe vetëm pak ditë më parë shënoi një gol shumë të rëndësishëm në sekondat e fundit kundër Veronës. Sot, Gjimshiti duhet të kthehet në mur në prapavijë dhe pse jo, të ndihmojë edhe sulmin për të synuar një fitore me vlerën e kualifikimit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/