Futbolli rikthen gjallërinë në qytetin e Durrësit, fushat stërvitore i rikthehen fëmijëve

Shqipëria po kalon një moment të vështirë duke qenë se vetëm një javë më parë u godit nga një tërmet i fortë që solli shumë dëme në njerëz dhe dëme materiale të konsiderueshme. Qyteti i Durrësit dhe Thumana ishin dy zonat më të prekura por pak nga pak, duket se gjërat po i kthehen normalitetit.

Familjet të cilat nuk kanë pësuar dëme në Durrës, ditët e fundit janë rikthyer në shtëpitë e tyre teksa ata që kanë mbetur pa banesa, janë strehuar duke liruar në këtë mënyrë fushat sportive në të cilat ishin vendosur çadrat provizore. Mesa duket, në Durrës kanë ndryshuar gjërat nga dita në ditë dhe qyteti po nis të gjallërohet pak nga pak.

Pasditen e djeshme dhe sot, i janë rikthyer stërvitjeve edhe ekipet e moshave dhe jo vetëm ekipi i parë i Teutës. Të rinjtë e skuadrës bregdetare, janë stërvitur normalisht këto dy ditë duke shpresuar që tërmetet të kenë përfunduar dhe gjithçka të rikthehet siç ishte më parë. Teuta luan të dielën kundër Skënderbeut dhe ka njoftuar se të gjitha përfitimet do të shkojnë për bamirësi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/