FSHF nis procesin e licencimit për sezonin e ardhshëm, publikohen kriteret që duhen përmbushur

Kategoria Superiore nisi këtë sezon me dyshime dhe polemika të shumta. Licencimet u mbajtën të fshehura deri pak ditë para se të niste kampionati dhe nuk dihej se cilat skuadra do të luanin në Superiore. Ndërkohë, ka nisur procesi i licencimeve edhe për sezonin e ardhshëm dhe FSHF ka publikuar edhe kriteret që duhen plotësuar.

Aktualisht bëhet fjalë për 5 pika kryesore të cilat duhet të jenë përmbyllur në procesin e licencimit dhe stadiumet, financat e kriteret sportive e ato ligjore e administrative, janë pikat kryesore të cilat klubet duhet të kenë përmbushur për të marrë një licencë.

“Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit njofton të gjithë klubet dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve shqiptare për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2020-2021. Ky proces do të përfundojë më 31 Mars 2020, sipas afateve të vendosura nga UEFA.

Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur këtë proces. Duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike (dhe rëndësinë më të madhe) në raport me kriterët e tjerë.

Të gjithë përfaqësuesit e klubeve janë ftuar të marrin pjesë në seminarin që organizohet më datë 12 Dhjetor 2019 nga Federata Shqiptare e Futbollit”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së. /Erjon Allaraj-VipSport.al/