FOTO / Shqiptarët “bëjnë ligjin” në futbollin kroat! Uzuni përzgjidhet lojtari i javës

Lokomotiva e Zagrebit është kthyer në një “fabrikë” për Shqipërinë, duke qenë se pjesë e skuadrës kroate janë Uzuni, Tuci, Mersinaj, Çokaj dhe Kastrati të cilët po luajnë rregullisht dhe javë pas jave po vlerësohen me notat më të larta. Fundjavën e shkuar, Kastrati dhe Uzuni shënuan dhe golat e tyre ia dedikuan Shqipërisë e cila po vuan pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni është përzgjedhur njëkohësisht edhe futbollisti i javës në kampionatin kroat. Paraqitja e bërë në javën e fundit, e ka vënë Uzuni në krye të listës duke treguar edhe njëherë vlerat e tij me Lokomotivën.

Sakaq, në formacionin e javës, përveç Uzunit që është vlerësuar me 371 pikë, bën pjesë edhe mbrojtësi Jon Mersinaj. Talenti kuqezi që sezonin e shkuar ishte pjesë e Laçit, e sheh veten në kuotën e 315 pikëve dhe së bashku me Uzunin përfaqësojnë Shqipërinë në këtë formacion. Nga Lokomotiva, janë plot 5 futbollistë në formacionin e javës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/