Flamurtari me probleme ndaj Laçit, një sulmues mungon dhe një tjetër në dyshim

Flamurtari do të luajë këtë javë në transfertë ndaj Laçit. Një takim i vështirësisë maksimale në Kurbin, duke marrë parasysh formën e Laçit, aq më tepër kur këta të fundit do të kërkojnë të reagojnë pasi u mposhtën në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit.

Vlonjatët kanë nevojë urgjente për pikë, në mënyrë që të mos dalin para kohe nga objektivi për të mbijetuar. Mirëpo, përveç vështirësisë së kundërshtarit, trajneri i kuqezinjve Luan Birçe do t’i duhet të llogarisë mungesën e sulmuesit Ansi Nika. Futbollisti u përjashtua me karton të kuq në sfidën e fundit ndaj Luftëtarit, pas një konfrontimi verbal me tifozët dhe ndaj Laçit nuk mund të jetë në dispozicion.

Gjithashtu, një dyshim mbetet edhe aktivizimi i Xhevahir Sukajt. Sulmuesi nuk ishte i gatshëm as në miqësoren e para disa ditëve të Flamurtarit ndaj Orikut dhe nuk mund të ketë siguri nëse do t’ia dalë të jetë pjesë e skuadrës kuqezi. /Egi Çabeli-VipSport.al/