Eksodi i “yjeve” nga Skocia në janar, nuk mund të mungonte Grezda

Largimi i Eros Grezdës nga radhët e Rejnxhërs në merkaton e janarit duket si gjëja më e mundshme në këtë pikë, pasi do t’i leverdiste si klubit skocez, ashtu edhe vetë futbollistit i cili është jashtë planeve të Stiven Xherard për të ardhmen. Pasi dështoi transferimi në verë, në mediat skoceze janë të bindura se ai do të bëjë gati valixhet për të lëvizur drejt një ekipi e ndoshta shteti tjetër.

“Edinburgh News” e rendit Grezdën mes 17 emrave të futbollistëve të njohur të cilët në janar do të largohen nga skuadrat përkatëse për të gjetur një sistemim të ri. Janë disa emra të njohur si Skot MekKena, Skot Sinkler, Xhek Hendri apo Xhemi Mërfi.

“Ai, më shumë se çdo lojtarë tjetër në kampionatin skocez, pritet që të lëvizë në janar. Ndonëse erdhi pas pagesës së një shume të ndjeshme prej 2 milion paund në verën e vitit 2018, ai nuk arriti të shpërthente. Edhe pse iu bë e qartë para se të fillonte sezoni se nuk ishte pjesë e planeve të Stiven Xherard, por nuk arritën t’i gjenin sistemim”, shkruhet në pjesën që i referohet transferimit të mundshëm të Grezdës. /vipsport.al/