Ekskluzive / Trajneri me punën më të vështirë, Shkëmbi: E vështirë të flasim për futboll, t’i sjellim sadopak buzëqeshje Durrësit

Pakkush do të dëshironte të ishte në rolin e Bledi Shkëmbit në këto ditë. Trajneri i Teutës ka barrën e rëndë që të drejtojë një skuadër futbolli në një qytet që është goditur në një nga tragjeditë më të mëdha të dekadave të fundit, me një skuadër që për një javë është shpërbërë e shpërndarë nga të katër anët, duke ndjekur me ankth situatën në qytetin e Durrësit.

Teuta që ai drejton është kthyer sot përsëri në fushën stërvitore dhe Shkëmbi tregon në një intervistë për Vip Sport se kjo është e vemtja gjë pozitive në këtë moment të vështirë, Trajneri pranon se situata nuk ka si të jetë normale, por lojtarët e tij duhet të gjejnë forcën për të reaguar dhe për t’i kthyer sadopak buzëqeshjen një qyteti të tronditur.

Bledi, duke qenë se jeni në Durrës dhe stërviteni në qytetin bregdetar, si e përjetuat tërmetin?
Në fakt jetoj në Tiranë dhe padyshim që tërmetin e përjetova me ankth, ashtu si të gjithë…

Sot u rikthyet në fushën stërvitore pas disa ditëve mungesë. Sa e vështirë ishte për futbollistët të përqendroheshin?
Sot u rikthyem në stërvitje dhe në fakt ishte pak e vështirë pas asaj situate që kanë kaluar lojtarët këto ditë. Pozitive ishte që përsëri jemi bashkë dhe vazhdojmë punën.

A e kishit të vështirë t’i motivonit?
Në këtë situatë është e vështirë të flasësh për futboll dhe për motivim. Por ne si ekip i qytetit të Durrësit kemi një obligim dhe motivim më tepër se të tjerët sepse na takon ne që t’i sjellim qytetit sadopak buzëqeshje me rezultate të mira.

A keni folur me futbollistët gjatë kësaj periudhe pas tërmetit në lidhje me stërvitjet dhe futbollin? Sa të gatshëm janë?
Kam folur me futbollistët vazhdimisht, çdo ditë kemi qenë në kontakt në këtë situatë të vështirë dhe për këtë arsye vendosëm që pikërisht sot t’i fillojmë stërvitjet duke parë që pak a shumë gjendja është qetësuar.

Duke qenë se lëkundjet vazhdojnë edhe sot, a e shihni të përshtatshme që të luani në Durrës këtë fundjavë?
Ne shpresojmë që mos të ketë më lëkundje dhe në fundjavë të luajmë në stadiumin toneë për shumë arsye dhe kryesorja është që ne duhet të luajmë dhe të solidarizohemi me qytetin dhe familjet që kanë pasur viktima.

Teuta është skuadra e qytetit që pësoi më shumë dëme e tragjedi, a do kthehet kjo ngjarje e rëndë në forcë apo pengesë për skuadrën?
Mendoj se kjo fatkeqësi duhet të kthehet në motivim dhe forcë për skuadrën e qytetit të Durrësit.

Keni një mesazh për qytetin pas kësaj ngjarje?
Në emër të skuadrës dua t’I shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe solidarizim me gjithë të dëmtuarit. Stafi dhe lojtarët do të kontribuojnë financiarisht me mundësitë e tyre të prekurit nga tërmeti. /Erjon Allaraj/vipsport.al/