E ndiqte që në mars, Strakosha thyen më në fund mallkimin e gjatë

Dita e sotme për Thomas Strakoshën ka qenë shumë e qetë. Në ndeshjen ndaj Udinezes, skuadra e tij arriti të merrte lehtësisht një fitore 3-0 dhe ai nuk pat shumë punë përballë sulmuesve kundërshtarë të cilët rrallëherë iu afruan zonës së tij. Një ndeshje e mbyllur pa pësuar gola është gjithmonë mirë për portierin kuqezi të cilin në pjesën e parë të sezonit e dënoi shpesh mbrojtja e pavëmendshme e cila tani ka rregulluar gjithçka dhe po mban Lacion në zonën Champions.

Për më tepër, kjo mbrojtje sot më në fund e ndihmo që të thyente një mallkim që zgjaste që nga muaji mars. Kjo ishte ndeshja e dytë zyrtare radhazi ku Lacio nuk pësonte gol, pas asaj të fituar 1-0 ndaj Kluzh në mesjavë dhe për bardhekaltërit kjo është diçka që ndodh rrallë, sado e çuditshme që mund të duket.

Në fakt, Lacio nuk ia kishte dalë të regjistronte dy ndeshje radhazi pa pësuar që në marsin e këtij viti kur barazoi me Milanin në Kupë dhe fitonte 3-0 ndaj Romës në derbi. Asokohe, Strakosha u bë protagonist absolut me pritjet e tij, këtë herë ishte thjesht spektator i lumtur. /vipsport.al/