E gjithë vëmendja te Partizani, autori i golit të Bylisit në kryeqytet kërkon suksesin

Sfida me Partizanin është vlerësuar shumë në kampin ballshiot. Në seancat stërvitore duket se ka optimizëm, por edhe mjaft seriozitet. Një nga lojtarët që i shënoi Partizanit në sfidën e parë në kryeqytet është edhe nigeriani Ntepe Frank, që luan në disa pozicione te Bylisi.

Prej katër sezoneve është edhe titullar te ballshiotët dhe në prag të ndeshjes me të kuqtë ka pohuar: “E vlerësojmë Partizanin, janë kampionët në fuqi të vendit dhe ne jemi përgatitur për të dhënë më të mirën në këtë ndeshje. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet që të bëjmë më të mirën, – tha nigeriani.

Kujtojmë që Ntepe i dha pikën Bylisit në Tiranë, në ndeshjen e fazës së parë që përfundoi 1-1, duke shënuar golin në minutat e fundit të asaj sfide dramatike.

“Natyrisht që ndihem mirë, kur unë bëhem protagonist dhe më shumë e goli më pëlqen fakti që skuadra ka marrë pikë në atë takim duke ditur se si është Partizani, një ekip me ambicie të mëdha dhe me kualitete. Në fushë futemi të barabartë dhe ne mundohemi që të bëjmë më të mirën, si kur luajmë në fushën tonë ashtu edhe në takimet e tjera në transfertë”, – tha nigeriani i Bylisit.

E.Saliu/Vipsport.al/