Dëmtim në momentin më të mirë, Endri Çekiçi merr pushimet para kohe

Endri Çekiçi po kalonte një moment shumë të mirë në kampionatin slloven duke shënuar dhe duke asistuar gola të shumtë për skuadrën e tij. Aktualisht, Olimpija Ljubljana kryeson tabelën e klasifikimit me 5 pikë më shumë se Maribori i vendit të dytë dhe ditën e djeshme, mori një tjetër fitore të rëndësishme duke u shkëputur më shumë.

Ditën e djeshme, Olimpija mundi me rezultatin 1-2 modestët e Bravos, teksa një humbje e madhe për skuadrën e “dragonjve” ishte ajo e Endri Çekiçit u cili u detyrua të largohej që në minutën e 20 të ndeshjes. “VipSport.al”, ka mësuar se Çekiçi kishte ndjerë një shqetësim në kofshën e djathtë.

Ky problem, mund ta mbajë mesfushorin pogradecar 1 javë larg fushave të blerta duke humbur kështu ndeshjen e fundit për këtë vit. Skuadra e tij do të zbresë në fushë të mërkurën, teksa Çekiçi duhet ta ndjekë këtë ndeshje nga tribuna. Kampionati slloven, do të rikthehet në shkurtin e vitit 2020, aty ku Çekiçi do të provojë të rikthehet aty ku e la, me sytë nga Kombëtarja. /Erjon Allaraj-VipSport.al/