Asani vazhdon aksionin e solidaritetit: Ilirida është aty kur Atdheu ka nevojë

Jasir Asani gjatë të gjithë këtyre ditëve është përfshirë personalisht në iniciativat që janë ndërmarrë në të gjitha trojet shqiptare për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti i rëndë që goditi Shqipërinë. Sulmuesi ka qenë në ditët e kaluara në Shkup, kur pjesa më e madhe e skuadrave lanë lojtarët pushim dhe atje organizoi mbledhje fondesh dhe ndihmash.

Futbollisti nuk e ka ndalur aksionin e tij të solidaritetit as pasi ka mbërritur në Shqipëri, duke qenë gjithmonë në kontakt me ata që dëshironin të kontribuonin për të kthyer përsëri në këmbë zonat e gjunjëzuara nga tërmeti. Kështu, nëpërmjet rrjeteve sociale, Asani ka treguar me krenari se si Shkupi vazhdonte të tregonte mbështetjen e vet me rroba dhe materiale të tjera që u nevojiteshin shqiptarëve në zonat e prekura nga tërmeti i rëndë,.

“Shkupi është aty! Ilirida është aty kur Atdheu ka nevojë!” ishin fjalët e futbollistit në rrjetet sociale ku hodhi edhe fotot e kontributit të radhës nga shkupianët të cilët po mendonin për zonat në vështirësi. /vipsport.al/