Akuza e Muçës: Te Tirana ka ndërhyrje për formacionin, Halili dëgjoi tifozët e na hoqi ne

Shkëlqim Muça, ish-trajner e drejtues i Tiranës, mendon se aktualisht në klubin bardheblu ka ndërhyrje për të bërë formacionin. Në “Rubrika Sportive” ai argumentoi se presidenti Halili duhej t’i jepte mundësinë trajnerëve të bënin punën e tyre.

“Mendoj se Tirana ka grupin që mund të ndryshojë këtë gjendje, por duhet trajner me autoritet. Presidenti duhet të lërë trajnerin të bëjë punën e tij, është aftësi të zgjedhësh edhe trajnerin, edhe drejtues që njohin karakteristikat e Tiranës, nuk shoh njerëz të tillë që i rrinë afër.

Duhet qetësi, nëse merret trajneri e thuhet që zgjidh 10 lojtarë e jo 11… Me ç’kam parë, ka ndërhyrje nga jashtë në ekip. Trajneri duhet të ketë autoritet, llogaritë i bën trajneri. Nëse dëgjohen tifozët fut këtë e fut atë… Na kanë ardhur edhe neve e ne i kemi thënë na linin në punën tonë, presidenti ka dëgjuar tifozët e na ka hequr ne.

Ai hedh lekët e nuk e ka kuptuar akoma që është pronar i klubit, duhet të vërë persona me autoritet të mirë, që bëjnë punën. Nuk ka nevojë për shokë të hanë drekë e darkë, por profesionistë. Vetëm të hënën të shihet me trajnerin. Një herë të takosh në javë trajnerin, të bëjë punën.

Jam i bindur që me grupin që ka Tirana rivalizon të gjithë, ka të drejtë të pretendojë për titull. Por varet se si menaxhon grupin”, tha Muça. /vipsport.al/