Ahmataj pas tërmetit: Ka bërë mirë shtyrja e kampionatit, futbollistët ende nuk janë përqendruar

Julian Ahmataj ka një punë shumë të vështirë pasi duhet të lërë pas gjithçka ndodhi pak ditë më parë kundër Skënderbeut dhe të kërkojë fitoren kundër Kukësit. Kjo ndeshje duhej të luhej të premten e shkuar por një tërmet i fortë solli dëme të shumta në njerëz dhe kampionati u shty, gjë që për Ahmatajn ishte e detyruar. Në një prononcim për “Supersport”, ai u ndal te stërvitjet e para pas tërmetit por njëkohësisht edhe te ndeshja e radhës.  

“E rëndësishme për skuadrën është si do përqendrohen pasi mendja nuk është këtu. Po bëjmë stërvitje të ekuilibruar për t’i sjellë ku duhet dhe me përqendrim por futbollistët kanë kurajo dhe nga vështirësitë se si kanë ardhur këtu. Ndoshta janë frikësuar nga familja që kanë pas dhe jo vetë personalisht.

Ndihma e klubit? Është gjë shumë e mirë ndihma sepse të gjithë janë munduar duke bashkuar shqiptarët pa parë asnjë pikëpamje dhe kanë ndihmuar me aq sa kanë mundësi.

Ka bërë mirë shtyrja e kampionatit pasi duhej kohë të largohej nga mendja. Duam të japim më të mirën nga vetja jonë”, tha Ahmataj. /VipSport.al/