Zvicra luan kualifikimin, trajneri: Nuk dua të rrezikoj me Shaqirin, reagimi i Xhakës ishte njerëzor

Tekniku i Zvicrës, Vladimir Petkoviç ka zyrtarizuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese në kuadër të Euro 2020. Helvetët, fillimisht do të presin në shtëpi Gjeorgjinë dhe më pas udhëtojnë në transfertën e Gjibraltarit. Dy sfida ku nuk lejohen hapat fals pasi për momentin renditen në vendin e tretë në grup. Për këtë ndeshje, trajneri Petkoviç ka vendosur të lejë jashtë skuadrës Xherdan Shaqiri, për arsye se sulmuesi është i dëmtuar dhe nuk kërkohet të rrezikohet.

Ndërsa, është grumbulluar si rregullisht Granit Xhaka. Në lidhje me situatën e fundit të mesfushorit me Arsenalin, trajneri Petkoviç është shprehur se veprimi i Xhakës ishte human dhe se ai ka mbështetjen e tij. “ Shaqiri kishte shumë dëshirë të vinte, por do të ishte një risk i madh. Ai ende nuk ka filluar stërvitjen me Liverpulin dhe nuk është rikuperuar në 100%. Vendosëm sëbashku të  mos grumbullohet, por vullneti i tij ishte për të qenë pjesë e skuadrës. Nuk e dimë me saktësi kohën e rikuperimit të tij. Ka dëmtim në disa vende dhe duhet të tregohet i kujdesshëm, mendoj se pas pauzës së kampionatit do të fillojë stërvitjen.

Xhaka? Kam folur me të për të gjitha mundësitë. Por, janë më shumë gjëra të klubit të Arsenal. E mbështes plotësisht Granitin. Reagime të tilla janë njerëzore. Koha dhe performanca në fushë do t’i rregullojë të gjitha. E njoh Granitin dhe ky nuk është problemi i parë në karrierë për të. Nuk duhet ta mbivlerësojë por as ta nënvlerësojë. Ai është i zhgënjyer dhe i duhet kohë. Shokët e skuadrës e ndihmojnë, dhe fjalët e një si Guardiola e ndihmojnë shumë”, u shpreh Petkoviç. /Egi Çabeli-VipSport.al/