Ylli i Partizanit kërkon të shfrytëzojë shansin ndaj Anglisë, Mala: Privilegj të luash në të tilla ndeshje

Esat Mala, një nga zbulimet e Superiores në vitet e fundit, i cili vjet fitoi edhe titullin kampion me Partizanin, tashmë i grumbulluar me Shpresat U-21 ka besim se ndaj Anglisë, kuqezinjtë do të bëjnë më të mirën që të marrin një rezultat pozitiv.

Mala thekson ndër të tjera se kjo do të jetë një sfidë që shërben si reklamë edhe për karrierën e kuqezinjve të vegjël. Në një prononcim për “Rtshsport”, Esat Mala ka pohuar: “Dihet se kush është Anglia, se çfarë potenciali ka dhe kualiteti. Ne po përgatisim skemën që do të luajmë kundër tyre dhe shpresoj se do të dalim me sukses”.

“Do të jetë një shans i mirë për t’u promovuar pasi do të përballemi me lojtarë që luajnë në ligat më të mira, e sidomos në “Premier League”. Çdo rezultat na shkon për shtat, por ne luajmë për 3 pikët.

“Në të tilla ndeshje lojtarët motivohen vetiu, por normalisht duhet që të luajmë shumë mirë dhe të gjithë që do të futen në fushën e lojës duhet që të japin mbi mundësitë e tyre”, – tha Esat Mala.

E.S./Vipsport.al/