Vlerësimi nga Italia për Kumbullën: Lideri i repartit difensiv, Shqipëria nuhati talentin dhe ia mori ‘axurrëve’

Portali “TuttoMercattWeb” ka vendosur në ditën e sotme të bëjë një klasifikim të futbollistëve me mesataren më të lartë të notave në Serinë A. Në këtë listë nuk mund të mungonte një nga surprizat e sezonit në Serinë A, si mbrojtësi Marash Kumbulla. Vetëm 19-vjeçar dhe në sezonin debutues në elitën e futbollit italian, Kumbulla ia ka dalë të kthehet në lider të repartit difensiv të Veronës, ashtu siç përshkruan edhe portali nga përtej Adriatikut.

Në këtë renditje mbrojtësi kuqezi renditet në vendin e 24, me një mesatare note prej 6.44 për ndeshje. Sakaq, në portalin italian theksohet edhe nuhatje e Shqipërisë për talentin, duke ia rrëmbyer nga duart të kaltërve. “ Lideri defensiv i një prej mbrojtjeve më të mira në Serinë A. Surprizues impakti i tij me kampionatin, duke pasur parasysh rolin e pakët në sezonin e kaluar. Ai ka bindur trajnerin Juriç që në stërvitjet e parasezonit dhe tashmë është shpërblyer.

Shqipëria ka nuhatur talentin e Kumbullës dhe ia ka marrë Italisë. Kështu, në 14 tetor bëri edhe debutimin me ngjyrat e Kombëtares”, ishte përshkrimi për sezonin e Kumbullës deri më këto momente. Mbrojtësi ka grumbulluar nëntë paraqitje në Serinë A, duke shënuar edhe një gol. /Egi Çabeli-VipSport.al/