VIDEO/ “Uells, Golf dhe më pas Madrid”, Bejl festë polemizuese ndaj Realit me Kombëtaren

Garet Bejl arriti në mbrëmjen e djeshme të prekte kualifikimin për në Europian me Uellsin. Sulmuesi ishte një nga protagonistët kryesorë të skuadrës. Ndërkohë, pas ndeshjes nuk mund të mungonte sërish një mungesë respekti nga ana e lojtarit drejt Real Madridit, me të cilët Bejl ka prishur çdo marrëdhënie. 

Në festën e skuadrës pas ndeshjes, Bejl valëviste flamurin e Uellsit si pa të keq, ndërsa në të ishte shkruar: Uells, Golf dhe Madrid, ndërsa më poshtë shkruhej: Ky është rendi. Kjo frazë është thënë fillimisht nga ish-sulmuesi i Real, Mijatoviç në muajin tetor. Ky i fundit kur u pyet për Bejl, u shpreh se futbollisti në radhë të parë mendon për Uellsin, më pas për golfin dhe në fund Realin.

Dhe mesa duket edhe Bejl është dakord me këtë renditje të Mijatoviç, duke ia bërë të qartë klubit spanjoll se është i palumtur në Madrid dhe se aventura e tij në Spanjë mund të quhet e përfunduar. Megjithatë, një shpjegim klubit Bejl do t’i detyrohet patjetër, pasi festa ishte fyese për madrilenët.  /Egi Çabeli-VipSport.al/