VIDEO / U bë futbollist te Bylisi, tani kërkon ta largojë nga kreu

Këtë të shtunë, në “Elbasan Arena” luhet Kukësi-Bylis, e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë së Superiore. Një duel që ka shumë ish brenda. Por, ajo që bie në sy është se te kuksianet, detyrën e trajnerit të portierëve e bën një ballshiot “puro”, Ermal Nexhipi, i lindur e rritur në Ballsh.

Nexhipi e ka nisur futbollin në qytetin naftëtar, aty ku ka kontribuar në Kategorinë e Parë dhe në Superiore, ndërsa ka punuar edhe si trajner portierësh me ballshiotët edhe në elitë. Në fakt, Nexhipi i përket brezit të ri të trajnerëve, por karriera e tij është e pasur.

Veç Bylisit ka punuar edhe me Gramshin, Tërbunin, apo dhe Kukësin, aty ku është aktualisht. Këtë fundjavë do të ketë një ndeshje delikate, ndërsa Ermal Nexhipi po stërvit portierët që të mos i lejojnë gol skuadrës së qytetit të tij. E nga ana tjetër, te Bylisi ka edhe kuksian, siç është Ardit Peposhi që të shtunën do të synojë 3 pikët ndaj skuadrës së origjinës.

Kjo është bukuria e futbollit, ndërsa tashmë Ermal Nexhipi si përgatitës portierësh, i rritur dhe formuar te Bylisi, kërkon që të largojë nga kreu skuadrën e vendlindjes. Në Ballsh në fazën e parë është mundur, ndërsa këtë të shtunën synon 3 pikët… E.S./Vipsport.al/