VIDEO / Nga Han, te Kuzhe e De Biazi. Kur Shqipëria gabonte ndeshjet e “thjeshta në letër”

Nuk është aspak rastësi që trajneri Edi Reja kërkon me ngulm që shkallaret e stadiumit në Elbasan të jenë të mbushura për ndeshjen ndaj Andorrës. Historia e kuqezinjve tregon se shpeshherë, ndeshjet e lehta në letër kanë rezultuar ato më të komplikuat për ta. Thuajse të gjithë paraardhësit e tij e kanë gabuar një të tillë, një nga ato sfidat e “fitoreve të sigurta” që llogariten sapo hidhet shorti i eliminatoreve.

Kjo është edhe arsyeja se pse Shqipëria për herë të parë në historinë e saj do të mundohet që të marrë pikë të plota ndaj dy skuadrave në grup dhe këtë mund ta arrijë vetëm duke mposhtur Andorrën të enjteve. Gabimet e mëparshme nuk ia kanë mundësuar këtë gjë dhe mjaftojnë 3 shembuj në dekadën e fundit për të treguar se si kuqezinjtë dështonin ndeshjet që të gjithë mendonin se do t’i fitonin.

Mars 2009, Maltë-Shqipëri 0-0, trajner Ari Han
Shqipëria shkoi në atë ndeshje me bindjen se mund të mbante gjallë shanset për kualifikim të mëtejshëm për Botërorin 2010 pasi kishte marrë 5 pikë deri atëherë në grup falë barazimeve me Suedinë e Portugalinë, si dhe fitores në Tiranë me Maltën. Por në ishull, kuqezinjtë e drejtuar nga Han u shfaqën një skuadër pa ide e pa lojë, aq sa u deshën disa pritje të Hidit për të evituar katastrofën. Aty ishte fillimi i fundit për trajnerin holandez i cili u largua në prill të atij viti.

Shtator 2011, Luksemburg-Shqipëri 2-1, trajner Josip Kuzhe
Pasardhësi i Han e nisi shumë mirë rrugëtimin e tij me kuqezinjtë, por me pas skuadra filloi të ulte rimtin gjatë rrugës. Kulmi ishte pikërisht humbja 2-1 në Luksemburg në eliminatoret e Euro 2012, e ndikuar edhe nga dy kartonët e kuq tq Agollit dhe Bogdanit në një ndeshje që u kontestua gjatë për gjykimin.

Tetor 2013, Qipro-Shqipëri 0-0, trajner Xhani De Biazi
Fillimi i shkëlqyer i atij edicioni të kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2014 u zhvlerësua nga një pjesë e dytë për t’u harruar ku rezultatet negative në disa ndeshje radhazi shuan shpresat kuqezi jo vetëm për kualifikimin, por edh për një renditje larg vendit të parafundit në grup. Kapaku u vu në ndeshjen e fundit me Qipron, në barazimin pa gola që la përsëri kuqezinjtë në pozitat “e zakonshme” deri atëherë. /vipsport.al/