VIDEO / Mrekulli përgjysmë e Gjasulës me Paderborn, i ikën nga duart fitorja me Dortmundin

Një gol i Marko Rojs në minutat shtesë i ka hequr nga duart Klaus Gjasulës mundësinë për të festuar një rezultat historik në fushën e Borusia Dortmund në ndeshjen e kësaj jave në Bundesligë. Skuadra e Paderborn ka bërë të drithërohen vendasit të cilët me shumë mund ia kanë dalë të marrin të paktën një pikë nga dueli i sotëm në fushën e tyre, në barazimin 3-3.

Në pjesën e parë, Dortmundi dukej qartësisht se e kishte mendjen te dueli i Ligës së Kampioneve në mesjavë. Nga kjo përfitoi Paderborn ku Gjasula është kapiten, duke goditur në çdo mundësi që i shfaqej, sidomos me kundërsulmet e shpejta nga krahët. Dy gola të Mamba dhe një i Holtman bënë që për çudinë e të gjithëve, Paderborn të mbyllte pjesën e parë në avantazhin e tre golave.

Në fillimin e të dytës, Favre bëri ndryshime të menjëhershme me aktivizimin e Hakimi dhe Hazard, me sfidën që ndryshoi plotësisht pasi Dortmund shkurtoi shpejt diferencën me Sanço e u hodh në kërkim të golave të tjerë. Paderborn rezistoi aq sa mundi, por u dorëzua në minutat e fundit. Fillimisht Vitsel me kokë ishte ai që sngushtoi diferencën në minutën e 84-t, e më pas edhe Rojs, në minutën e dytë shtesë po me kokë çoi shifrat në 3-3 duke barazuar rezultatin, që nuk lejon Dortmundin të bëjë hapa para në klasifikim, por as skuadrën e mesfushorit shqiptar të largohet nga fundi i tabelës së klasifikimit. /vipsport.al/