VIDEO / Ismajli i pafat, autogol në ndeshjen me të rëndësishme për Hajduk Split

Ardian Ismajli ka qenë i pafat sot në ndeshjen më të rëndësishme për klubin e Hajduk Split, pasi ka dërguar topin në rrjetën e portës së vet. Futbollisti i cili luajti me Andorrën, por jo ndaj Francës me fanellën kuqezi, për pak u kthye në personazhin negativ të duelit të sotëm të klubit të tij ndaj Dinamo Zagreb, kryesuesve të kampionatit kroat. Por për fatin e mirë të tij, sfida u mbyll në barazim dhe lë gjithçka të hapur sa i përket vazhdimësisë në luftën për titull.

Ismajli ishte si zakonisht titullar në këtë duel, duke qenë efikas në bllokimin e disa aksioneve sulmuese të kundërshtarëve që në start. Por në minutën e 12, pas një goditje nga këndi, ai devijoi pa dashje topin në rrjetën e portës së tij, duke i dhënë avantazhin Dinamos së Zagrebit. Megjithatë, Çaktash me një penallti në fundin e pjesës së parë vulosi barazimin që nuk do të ndryshonte deri në fund të duelit.

Kësisoj, distanca mes dy ekipeve mbetet 4 pikë, me Dinamon që ruan vendin e parë, ndërsa ka edhe një ndeshje më pak të luajtur se sa Hajduku. /vipsport.al/