VIDEO / Humbi penallti si Zaza, shokët dhe trajneri justifikojnë Klaus Gjasulën

Klaus Gjasula është bërë protagonist negativ i ndeshjes së fundit të skuadrës së tij, një humbje 1-0 ndaj Augsburg që i hoqi mundësinë Paderbornit të jepte sinjalin e radhës për largimin nga fundi i tabelës në Bundesligë. Mesfushori shqiptar gjuajti një 11-metërsh por e shpërdoroi atë, pasi ia grushtoi portieri kundërshtar.

Gjasula e kishte kërkuar vetë penalltinë duke i marrë topin nga duart shokut të skuadrës, Sabirit, po ekzekutimi i tij, që i ngjan atij ët famshëm të italianit Zaza me shumë hapa të shkurtër, nuk shkoi siç kishte shpresuar futbollistit.

“Unë vrapoj gjithmonë ngadalë, për të parë se çfarë po bën portieri. Por ai i Augsburgut lëvizi pak në vijë dhe më shpërqendroi”, tregoi mesfushori shqiptar për këtë rast të humbur. “Mendova se do ta dërgoja topin në rrjetë. Fatkeqësisht nuk funksionoi siç desha. Padyshim që është diçka që të mërzit shumë, pasi Augsburgu nuk duhej të ankohej nëse ne do të kishim qenë në kryesim 2-0 që në 15 minutat e parë të ndeshjes”, vijoi Gjasula.

Një gabim që i kushtoi shtrenjtë skuadrës së tij, por për të cilin pakkush fajëson kapitenin. “Unë e njoh Klaus si një goditës të sigurt. Ajo penallti sipas meje është si një pasim i gabuar, askush nuk e bën me qëllim”, shpjegoi portieri i Paderborn, Leopold Zingerle. Ndërkohë, trajneri Baumgart ka shpjeguar se do të vazhdojë t’i besojë Gjasulës, ashtu sicc i ka besuar edhe shiritin e kapitenit. “Klausi ka praktikuar shumë gjuajtjet në dy javët e fundit dhe realizoi 30 penallti, fatkeqësisht e 31-ta nuk shkoi në rrjetë”, shpjegoi ai. /vipsport.al/