VIDEO / Gafa e rëndë e Valon Berishës i kushton Lacios eliminimin

Shanset e Lacios për të vazhduar më tej në Ligën e Europës tashmë janë thuajse zero, pasi italianët janë mundur me përmbysje në shtëpi nga skuadra e Sëlltik. “Meritë” për këtë ka edhe Valon Berisha, i cili i futur në fushë për të ndihmuar skuadrën, ishte ai që shkaktoi një gafë të rëndë që solli golin e kundërshtarëve në shtesën e ndeshjes.

Me shifrat 1-1, Berisha u aktivizua që të jepte një ndihmë më shumë në mesfushë, kur shënohej minuta e 82-të të duelit. Mesfushori i përfaqësueses kosovare duhej të ndihmonte ekipin të shtynte para, por rezultoi vendimtar me një gabim të pafalshëm në minutën e 95-të. Ai gaboi një pasim para zonës së vet duke i dhuruar topin Eduardo, i cili e dërgoi te Ntçam që shmangu ndërhyrjen e Strakoshës për të dërguar sferën në rrjetë.

Humbja 2-1 praktikisht shuan çdo shpresë të Lacios, pasi tani duhet që CFR Kluzh të humbasë të dy ndeshjet e radhës dhe Lacio t’i fitojë ato. Duke llogaritur se një nga ndeshjet e Kluzh është me Sëlltikun e kualifikuar, barazimi do t’i kishte dhënë më shumë shanse Lacios. Ndaj gafa e Berishës mund të rezultojë vendimtarja për eliminimin nga Europa. /vipsport.al/