Vazhdon rrëmuja me stolin e Spanjës, tani çështja kalon në duart e avokatëve

Shkarkim apo dorëheqje? Askush nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur me Robert Moreno në pankinën e Spanjës,  para se ai të linte vendin Luis Enrikes. Trajneri i spanjollëve për pak muaj, është larguar duke qarë një natë më parë nga stadiumi, ndërsa sot ka dërguar zyrtarisht avokatët e tij në Federatën Spanjolle të Futbollit.

Puna është se pavarësisht akordit verbal, duket se nuk ka asnjë dokument që provon atë që thotë presidenti i federatës, Luis Rubiales, se Moreno ishte ndërgjegjshëm se në momentin që Luis Enrike do të kërkonte të kthehem, pankina do t’i dorëzohej përsëri atij. Federata kishte ftuar Morenon të paraqitej në zyrë gjatë ditës së sotme për të sqaruar pikat kontraktuale mes palëve dhe arritjen e një akordi, por në vend të trajnerit janë paraqitur dy avokatët e tij.

“AI nuk erdhi në federatë, por erdhën dy avokatët e tij, ne e respektojmë këtë vendim. Do të kishim dashur të bisedonim me të por tani është kjo situatë dhe e dimë që ai ka dërguar përfaqësuesit ligjorë për të zgjidhur gjithçka. Nëse një palë kërkon mbylljen e kontratës ka penalitete, përndryshe i ka tjetra”, shpjegoi Rubiales se tashmë ishte thjesht çështje klauzolash dhe interpretimesh ligjore nëse ky do të cilësohej shkarkim apo dorëheqje, nga e cila varej edhe shuma që do të përfitonte si dëmshpërblim Moreno. /vipsport.al/