Uzuni: I lumtur që u riktheva në Kombëtare, këtu ke besim dhe ndjehesh krenar

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2020, ndaj Andorrës dhe Francës. Në konferencë për shtyp foli Myrto Uzuni. Sulmuesi u shpreh i lumtur për rikthimin me kuqezinjtë dhe shtoi se e priste ftesën për shkak të paraqitjeve në klubin e tij.

 “Kur je në kombëtare është ndryshe pasi ke besim dhe ndjehesh krenar. Po punoja fortë dhe prisja ftesën. Ndjehem mirë, kam asistuar kam shënuar dhe jam në formacion gjithë kohës me ekipin tim. Mendoj se jam pjesë e Kombëtares dua të luaj, por duhet t’ia tregoj trajnerit në stërvitje se jam i gatshëm. Nuk jam ndjerë mirë kur nuk isha pjesë, por jam i lumtur që u riktheva dhe Reja e ka parë që jam aktivizuar.

Duhet të bëjmë më të mirën në fushën e lojës. Mjafton të jem listë, e parë apo e dytë nuk ka rëndësi. Të jem pjesë mjafton. Konkurrenca bën mirë dhe rritet stërvitja. Të gjithë japim maksimumin, kryesorja është ekipi të fitojë dhe në fund të marrim pikët dhe të dalim të gëzuar.

Andorra? Mendoj se personalisht asnjë ndeshje nuk nënvlerësohet. Jemi profesionist dhe hyjmë të bindur për fitoren. Stadiumi dhe tifozët janë afër, ndikimi? Për mua mendoj se është gjë e mirë. Besoj se tifozeria do të jetë e gatshme të na ndihmoj. Besoj se do të na shtyjë”, tha Uzuni.