Turpëruan Shpresat kuqezi, tani turpërojnë edhe Turqinë. Andorra shkruan historinë

Përfaqësuesja Shpresa e drejtuar nga Alban Bushi nuk ka qenë viktima e vetme e përfaqësueses së Andorrës në grupin eliminator të Europianit të kësaj grupmoshe. Në fakt, skuadra e Bushti duhet ta cilësojë veten me fat që ka dalë me një pikë nga transferta ndaj këtij kundërshtari të lehtë në letër, pasi ky i fundit sot ka arritur një rezultat historik, duke mundur 2-0 Turqinë.

Andorra realizoi që në minutat e parë të ndeshjes me Fernandez e më pas administroi mirë lojën, ndihmuar edhe nga nervozizmi i miqve të cilët nuk kanë arritur të marrin pikë që pas dy ndeshjeve me Shqipërinë ku regjistruan një fitore e një barazim.

Goli i Alaez me penallti në minutën e 86-të, vulosi rezultatin e sfidës me suksesin 2-0 të Andorrës e cila e sheh veten në kuotën e 4 pikëve, po aq sa ekipi turk, një më pak se Shqipëria me 5 e dy se Kosova që ka 6. Edhe Andorra nuk kishte marrë asnjë pikë tjetër më parë përveç asaj të siguruar në barazimin 2-2 ndaj skuadrës së Bushit. /vipsport.al/