Tur “mësimor” në Itali, ish-trajneri i Tiranës shfaqet në stërvitjen e Italisë

Kthimi në Brazil nuk ishte edhe aq i suksesshëm se sa mendonte Ze Maria, ish-trajneri i Tiranës, i cili ndihmoi bardheblutë të ktheheshin nga Kategoria e Parë në Superiore. Pas shkarkimit nga bardheblutë, braziliani u kthye në vendlindje dhe nuk iu desh shumë kohë që të gjente një vend pune, pasi zbarkoi në kategoritë e ulëta për të marrë drejtimin e Portuguesa, klub ku ai ishte bërë i famshëm në rininë e tij.

Por gjërat shkuan shumë keq edhe në atë klub, duke zhgënjyer në kampionat e Kupë dhe Ze Maria i dha lamtumirën që në verë skuadrës. Tashmë duket se ai po tenton të kthehet përsëri në Europë dhe në javët e fundit është shfaqur në Itali ku ka banuar për shumë vite. Ze Maria ka nisur një tur të mirëfilltë mes klubeve italiane, duke qenë i pranishëm në ndeshje apo stërvitjet e skuadrave ku ka luajtur në vitet e tij në Serinë A si Interi dhe Parma, apo ka shkuar të takojë edhe trajnerin Karlo Ançeloti te Napoli në fillimin e javës së kaluar.

Sot, etapa e këtij turi mësimor për të kuptuar se si drejton elita e futbollit italian, e ka çuar teknikun në qendrën e ekipeve kombëtare të Italisë. Ze Maria ka qenë “vëzhgues” në stërvitjen e sotme që ka bërë trajneri Mançini, për të parë nga afër futbollistët dhe metodën se si punonte përfaqësuesja e cila ka afruar një numër të madh të rinjsh meqë ka siguruar kualifikimin në Euro 2020. Për Ze Marian, ky tur ka qenë një mënyrë e mirë për të mësuar e kuptuar se çfarë nuk shkoi në dy eksperiencat e tij të fundit në pankinën e një skuadre. /vipsport.al/