Tramexani pranë kthimit në pankinë, gati firma në vendin ku Shqipëria shkroi historinë

Paolo Tramexani duket se nuk do të qëndrojë edhe shumë kohë larg futbollit të luajtur. Ish-asistenti i Xhani De Biazit në vitet e tij kuqezi, pas eksperiencave në Zvicër e Qipro me klube, duket se do të provojë drejtimin e një kombëtareje europiane.

Trajneri ka që në verë pa skuadër, pasi e larguan nga drejtimi i APOEL të Qipros edhe pse e udhëhoqi këtë skuadër në rrugëtimin e saj në titullin kampion. Ai ka ndërprerë marrëdhëniet me klubin qipriot dhe pritet që në fund të nëntorit të hedhë firmën dhe të prezantohet si trajneri i ri i përfaqësueses së Armenisë. Duket se Tramxeani mendon se Armenia ka talentin e mjaftueshëm, përtej Mkhitarian, që të synojë diçka të rëndësishme në vitet e ardhshme, ndaj ka gjetur akordin parimor për të marrë drejtimin e saj pas dy ndeshjeve të fundit që do të zhvillojë në eliminatoret e Euro 2020.

Ironikisht, përfaqësuesja armene është ajo me të cilën nuk gjeti një akord Xhani De Biazi pak kohë më parë. Edhe ai u kontaktua nga pala armene, por në fund nuk gjeti gjuhën e përbashkët për të siguruar drejtimin e këtij ekipi i cili prej vitesh po mundohet të bëjë një hap cilësor në arenën ndërkombëtare. Armenia është një vend të cilin Tramexani e njeh edhe falë eksperiencës së tij si kuqezi, pasi pikërisht në stadiumin e saj në Jerevan, Shqipëria shkroi historinë duke u kualifikuar në Euro 2016. /vipsport.al/