Trajneri i Vllaznisë, Jonuz: Të dalim nga kriza me Tiranën, shumë keq ndeshja pa tifozë

Trajneri i Vllaznisë, Mirad Jonuz ka folur në ditën e sotme në konferencë për shtyp para përballjes me Tiranën në transfertë. Tekniku i shkodranëve ka theksuar se është normale që çdo ekip mund të kalojë një krizë por e rëndësishme është të dalin nga kriza me Tiranën. Ndërkohë, Jonuz u shpreh se nga ana e tyre nuk do të ketë më asnjë deklaratë në lidhje me Federatën apo arbitrat.

“Kam folur gjatë me lojtarët e mi dhe të gjithë po mundohemi të dalim nga ky moment ku ndodhemi. Është shumë normale që çdo ekip të kalojë një krizë në një moment të caktuar, por e rëndësishme është që të dalim sa më shpejt prej saj dhe do të tentojmë ta bëjmë që në ndeshjen me Tiranën.

Sfida me Tiranën? Një fitore ndryshon gjithçka. Dua t’u dërgoj një mesazh edhe tifozëve. Duhet të na përkrahin edhe kur jemi në vështirësi. Ekipi është më i plotë për takimin e radhës sepse na rikthehen disa lojtarë. Tani e tutje do të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje dhe nga ana jonë nuk do të ketë më asnjë deklaratë në lidhje me Federatën apo arbitrat. Çdo rezultat pozitiv është i mirë në këto momente për Vllazninë.

Mungesa e tifozëve? Është shumë keq që kjo ndeshje do të luhet pa spektatorë, sepse futbolli luhet për ta. Janë dy klube historike dhe është mëkat që të luhet pa tifozë, por gjithsesi ne do të mundohemi të bëjmë punën tonë në fushën e lojës për të marrë rezultatin që dëshirojmë.

Disiplina? Me këtë çështje, do të merren drejtuesit e klubit. Ne vazhdojmë punën, duhet të qetësohemi pak dhe të mendojmë për vazhdimësinë”, tha Jonuz.