Trajneri i Olimpijas elozhe Çekiçit: Te penalltia gabova unë jo ai, i ndodh çdokujt

Endri Çekiçi po kalon një moment mjaft të mirë në kampionatin slloven, aty ku me Olimpija Ljubljanën po shënon rregullisht. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, ai ka arritur të shënojë 2 gola teksa humbi edhe një penallti pasi kishte shënuar golin e parë. Mesa duket, ka qenë vetë dëshira e trajnerit për ta goditur këtë penallti dhe nuk e fajëson aspak mesfushorin shqiptar.

Trajneri i Olimpijas, Safet Hadziç u shpreh se kishte vendosur ai për të goditur Çekiçi teksa shtoi se gabimi ishte i tiji që përcaktoi si goditës Çekiçin. Më tej, Hadziç i ka thurur elozhe mesfushorit duke e konsideruar të rëndësishëm për skuadrën e tij.

“Kam folur me Vukusiç dhe Çekiçin më parë dhe të dy donin të godisnin dhe vendosëm që do të godisnim në momentin që do të jepej penalltia. Të dy donin të godisnin. Çekiçi po bënte shumë mirë pas golit të parë që shënoi dhe po luante shumë mirë. I thashë edhe futbollistëve të tjerë që të godiste Çekiçi dhe ndoshta gabova, ishte faji im por asgjë nuk u bë keq.

Herën tjetër do të godasë Ante dhe më pas, kushedi? Penalltia nuk është vendimtare. Harrojeni. E rëndësishme është të shënojmë gola dhe se kush e godet penalltinë, nuk ka shumë rëndësi. Ndonjëherë do ta humbasësh penalltinë. Këtë radhë i ndodhi Çekiçit por do të jetë më mirë herën tjetër”, tha Hadziç. /Erjon Allaraj-VipSport.al/