Trajneri fal Manajn: Gjërat kanë ndryshuar për mirë, por nuk luan këtë javë

Trajneri i Albacetes, Luis Miguel Ramis, duket se ka falur përfundimisht Rei Manajn për atë përplasje mes të dyve një muaj më parë. Trajneri konfirmoi se situata ka ndryshuar në aspektin pozitiv, ndërsa këtë herë u ankua se nuk mund ta kishte në dispozicion për ndeshjen e radhës për shkak të një dëmtimi.

Manaj, sapo u kthye nga kombëtarja, u dëmtua ndërsa po bënte ushtrimet e para fizike në palestër, pasi pësoi një goditje që do pak kohë të shërohet. “Është një hematomë, ka inflamacion dhe është shumë afër kockës së këmbës dhe çdo shkelje apo goditje e fortë i shkakton dhimbje të mëdha. Është një pjesë direkte e kontaktit me topin ndaj kërkon më shumë kohë që të rikuperohet, por besoj se nuk do të zgjatë shumë. Shpresoj që javën e ardhshme të stërvitet normalisht”, tha Ramis para mediave.

I pyetur se si ishte situata e tij sa i përket aspektit disiplinor, trajneri tha se çdo gjë kishte mbaruar sa i përket përplasjes mes të dyve. “Rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë pozitive. Kur gjërat kthehen në aspekte të pafavorshme, ajo që duhet të bësh është që të përpiqesh të rilidhesh marrëdhëniet. Shpresoj që të ketë ndikuar pak, por janë gjëra që ndodhin. E rëndësishmja është që të jetë i përgatitur dhe ata që janë me dëmtime të rikuperojnë sa më parë”, tha trajneri i Albacetes. /vipsport.al/