Toti zgjedh vizitat si ajo në Shqipëri para kthimit: Romës do i thosha përsëri jo

Françesko Toti ka vendosur që të mos kthehet më te Roma, edhe nëse ndryshohen drejtuesit e saj dhe klubin e merr në pronësi ndonjë biznesmen tjetër. Ish-sulmuesi i njohur italian ka deklaruar se tani dëshiron që të përqendrohet në karrierën e tij të re, atë të menaxherit, e cila e solli edhe në Shqipëri për të monitoruar futbollistë të ndryshëm.

“Nëse në këtë moment dikush do të më vinte të më pyeste nëse do të kthehesha te Roma, nga njëra anë do të më vinte në vështirësi, por nga ana tjetër do t’i thosha jo, pasi respektoj vendimin tim”, shpjegoi Toti për gazetarët që e pyetën nëse do të kthehej te verdhekuqtë në rast se Den Fridkin do të blinte klubin nga Xhejms Pallota.

“Dua të bëj një eksperiencë si menaxher. Mund të ndihmoj të rriten të rinjtë italianë e të huaj sa më shumë që të jetë e mundur. Do të dëshiroja që të kuptonin realitetin futbollistik. Pas 30 vitesh eksperiencë, mendoj se mund ta bëj një gjë të tillë”, theksoi Toti. /vipsport.al/