Totenhemi zyrtarizon pasardhësin e Poçetinos, ia beson skuadrën specialit Murinjo

Klubi i totenhemit vendosi të shkarkonte në mbrëmjen e djeshme trajnerin Mauricio Poçetino. Skuadra i ka bërë një start të dobët kampionatit dhe drejtuesit menduan se pas pesë viteve nën udhëheqjen e argjentinasit kishte ardhur koha e ndryshimit. Ndërkohë, Totenhemi nuk ka humbur kohë dhe ka zyrtarizuar në krye Hoze Murinjon.

“Special One” do të rikthehet në detyrë pas afërsisht një viti prej momentit kur u shkarkua nga Mançester Junajtid. Portugezi ka nënshkruar një kontratë deri në sezonin 2022-2023, teksa sa i përket pagës, Murinjo do të përfitojë 15 milionë paund, përafërsisht dyfishin e Poçetinos.

Ndërkohë, tekniku luzitan u shpreh i lumtur për të punuar në një klub si Totenhemi. “ Jam shumë entuziast që i bashkohem një klubi me trashëgimi të madhe dhe me fansa pasionant. Kualiteti i akademisë dhe skuadrës është ajo çfarë më emocionon. Të punoj me këta lojtarë është ajo çfarë më tërhoqi më shumë”, u shpreh Murinjo.  /Egi Çabeli-VipSport.al/