Tiranës i kthehen dy lojtarë nga pezullimi, por në Korçë do të mungojë një tjetër titullar

Kategoria Superiore do të startojë këtë fundjavë, teksa ishte e ndërprerë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Një nga ndeshjet më interesante do të jetë ajo që luhet në Korçë, mes Skënderbeut vendas dhe Tiranës.

Bardheblutë vijnë pas barazimit pa gola me Vllazninë në shtëpi dhe kërkojnë t’i rikthehen pikëve maksimale për të qëndruar dhe mos u shkëputur nga grupi i kryesuesve të kampionatit. Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj kanë dy rikthime të rëndësishme për këtë sfidë. Bëhet fjalë për futbollistët Erjon Hoxhallari dhe Agustin Torasa.

Mbrojtësi dhe mesfushori janë ndëshkuar me karton të kuq në sfidën ndaj Teutës dhe pezullimin e shlyen ndaj Vllaznisë. Kështu, lojtarët janë në dispozicion të plotë për trajnerin Ahmataj. Sakaq, një tjetër mesfushor do të mungojë për shkak të pezullimit. Idriz Batha ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe për pasojë do të jetë jashtë sfidës me Skënderbeun. Një mungesë e rëndësishme në mesin e fushës, duke qenë se Batha konsiderohet një titullar fiks i skuadrës. /Egi Çabeli-VipSport.al/