Tirana-Vllaznia, statistikat që trembin të dy klubet në klasiken e futbollit shqiptar

Dueli i nesërm mes Vllaznisë dhe Tiranës kthen përsëri në sytë e futbolldashësve shqiptarë një përballje historike mes dy skuadrave me rivalitet të fortë, një duel i cili jo rastësisht është quajtur edhe si “klasikja e futbollit” në vendin tonë. Të dy ekipet, ndonëse në pozita të kënaqshme për momentin në klasifikim, kanë treguar luhatje në këtë fillim sezoni, që ka sjellë ndryshimin e trajnerit te bardheblutë dhe ka bërë që tekniku i shkodranëve të ofrojë vetë publikisht dorëheqjen.

Ndaj ndeshja mes dy skuadrave merr një rëndësi të veçantë për vijimësinë e edicionit dhe pretendimet që kanë, pasi të dy palët kërkojnë me çdo kusht të marrin pikë për të përmirësuar pozitat në klasifikim. Statistikat normalisht flasin për ekipin pritës, pasi tregojnë se bardheblutë janë dominues në 20 takimet e fundit të luajtura mes dy ekipeve duke filluar që nga sezoni 2011-2012.

Bardheblutë regjistrojë 8 fitore kundrejt 3 të ekipit shkodran në këtë periudhë ndërsa skuadrat kanë ndarë pikët në 9 barazime. Për më tepër, Tirana ka humbur vetëm 1 nga 10 ndeshjet që ka luajtur në këtë periudhë kohe në fushën e vet (5 fitore, 4 barazime).

Por pikërisht ajo humbje  ka qenë e “rëndë” për historinë bardheblu, pasi  ishte në vizitën e fundit të shkodranëve në Tiranë në kampionat, në marsin e vitit 2017. Asokohe Vllaznia fitonte 2-1 me golat e Gocajt dhe Gurishtës, duke bërë që Tirana të vazhdonte rrokullisjen në renditjen e kampionatit, që u mbyll me një ndeshje pikërisht ndaj shkodranëve në javën e fundit që u mbyll me barazimin 0-0 i cili dekretoi edhe rënien e ekipit kryeqytetas në Kategorinë e Parë. /vipsport.al/