Të dënuar nga Federata, “Capital Crew” paralajmëron Tiranën: Mbani përgjegjësi, po sfidojmë burgun

Tirana e nisi sezonin në mënyrën më të mirë duke u konfirmuar menjëherë si një nga pretendentët kryesorë për titull por rezultatet e fundit bënë që të largohet trajneri Ardian Mema dhe vendin e tij ta zinte Julian Ahmataj. Edhe në këtë periudhë të vështirë, Tirana duket se nuk do të ndjejë mungesën e tifozëve, ku si “Tirona Fanatics”, ashtu edhe “Capital Crew” kanë konfirmuar prezencën e tyre në Korçë.

Këta të fundit janë të dënuar nga federata dhe nuk mund të pranohen në stadium deri në fund të sezonit, por natyrisht mund të hyjnë lirshëm si tifozë të thjeshtë, e rëndësishme është të mos kenë banerin që i identifikon. Sakaq, në një postim në profilin e tyre në “Facebook”, tifogrupi ka paralajmëruar klubin të mbajë përgjegjësi për të qenë një skuadër solide dhe jo për t’u mësuar me humbjet dhe barazimet.

“Transferta e radhës është në Korçë dhe kthimi me fitore është detyrim. Ne jemi tifozat Bardh e Blu dhe duam që Tirona të jetë Tirona dhe jo të kthehemi në një klub mediokër, ku humbja dhe barazimi bëhet normalitet! Në qoftë se ju si klub nuk mundeni të mbani presionin dhe nuk e menaxhoni dot këtë Klub të Madh, mbani Përgjegjësi!! Tanimë mjaft me ndërrime trajnerësh dhe justifikime qesharake! Tifozat e Tironës e kanë përkrahur ekipin në shi, borë dhe më shume se kaq, deri në gjoba, burgosje, dënime kolektive nga shteti… Çdo gjë që i përket tyre ka qenë me vetë financim dhe sakrifica dhe nga kjo, i lind me plot goje e drejta, që kjo histori mos të përbaltet. Ne jemi zëri i së drejtës dhe nuk duam të përbaltet më nga askush, fanella 27 herë Kampione”, shkruhej në postimin e tifogrupit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/