Tani në Kombëtare, Bano zbulon “nderin” që Lushnja i bëri Trashit: I vumë kusht kryeqytetin

Lorenc Trashi është kthyer në një emër të njohur për tifozët shqiptarë, edhe për ata të cilët nuk ndjekin rregullisht kampionatin shqiptar dhe e shohin javë pas jave me fanellën e Partizanit. Mbrojtësi është kthyer në një pjesë të grupit kuqezi nën drejtimin e Edi Rejas dhe debutoi me një paraqitje shumë bindëse ndaj Moldavisë. Por fillimet e tij ne elitën e futbollit shqiptar, Trashi i ka te klubi i Lushnjës, ku u kthye në një emër të njohur fillimisht mes klubeve të Superiores. Trajneri Artan Bano ka zbuluar se si lojtarit kjo skuadër i kishte bërë një “nder” duke e lënë të largohej drejt Partizanit.

“Në atë kohë bëri një paraqitje shumë të mirë në vitin me ne, luajti rregullisht e ra në sy. Qëndroi një vit por në fakt kishte kontratë dyvjeçare dhe mund të them se në njëfarë mënyre Lushnja e ka ndihmuar Trashin në rrugëtimin e tij që e ka çuar në Kombëtare”, shpjegoi Bano në “E Hëna Sportive”.

“Në fund të sezonit, pasi ra nga kategoria, erdhën oferta nga 5-6 klube të Superiores, klubet kryesore praktikisht që ishin gati ta merrnin. Atëherë ne i vendosëm një kusht Trashit. Meqë kishte kontratë edhe një tjetër vit, nëse do të shkonte te një nga dy skuadrat e kryeqyteti, Tirana ose Partizani, do ta linim të largohej i lirë. Nëse zgjidhte klub tjetër, ai duhet të paguante për kartonin e tij.

E menduam kështu për të mirën e lojtarit, pasi në klubet e kryeqytetit do të kishte më shumë shikueshmëri, do ta ndihmonte më shumë të rritej si futbollist, siç ndodhi. Ai zgjodhi Partizanin dhe u largua si lojtar i lirë nga Lushnja”, shpjegoi Bano se si Trashi u bë pjesë e të kuqve në verën e vitit 2014. /vipsport.al/