“Tani kthehuni të ndiqni bejsboll”, Ibra largohet nga LA Galaksi me tallje për amerikanët

Zlatan Ibrahimoviç është unik në stilin e tij dhe këtë e ka treguar edhe nga mënyra se si i ka dhënë lamtumirën LA Galaksi, e me shumë mundësi kampionatit të MLS. Sulmuesi duket se nuk do të vazhdojë të qëndrojë më në SHBA, pas dy viteve në klubin e njohur amerikan, pasi synon një eksperiencë të fundit të rëndësishme në futbollin europian.

Ai vendosi të zyrtarizonte lamtumirën e tij me një postim, i cili si gjithmonë ka hapur polemika. “Unë erdha, pashë dhe pushtova. Faleminderit LA Galaksi që më bërë të ndjehem përsëri i gjallë. Fansave të LA Galaksi u them: ju deshët Zlatan, ju dhashë Zlatan. Faleminderit. Historia vazhdon… Tani mund të ktheheni të ndiqni bejsboll përsëri|, ishin fjalët e Ibrahimoviç.

Një thumbim i lojtarit i cili pak kohë më parë deklaroi se tanimë kampionati amerikan ndiqej vetëm prej tij dhe se askush nuk do të dinte më çfarë ishte MLS sapo ai të largohej. /vipsport.al/