Talenti i Italisë nuk e pranon krahasimin me Pirlon: Jam një Gatuzo me më shumë teknik

Sandro Tonali është një nga talentet më premtues të Italisë. Futbollisti aktivizohet me Breshian dhe luan në rolin e mesfushorit, ndaj shpeshherë për 19-vjeçarin nuk kanë munguar edhe krahasimet me Pirlon. Megjithatë, është vetë Tonali, i cili nga grumbullimi me Kombëtaren e të kaltërve, ka theksuar se është i ndryshëm nga ish-mesfushori teksa ndër të tjera Pirlo sipas tij është i paarritshëm.

Sakaq, Tonali shprehet se mbase mund të jetë një Gatuzo, por me më shumë teknikë në këmbë. “ Nuk më bezdis krahasimi me Pirlon, tashmë është bërë e zakonshme dhe më është fiksuar në kokë. Por, për mua krahasimi me Pirlon nuk është i duhuri. Të kesh ngjashmëri është diçka tjetër, por në fushë është krejtësisht ndryshe pasi për mua Pirlo kishte një kualitet dhe teknikë të papërshkrueshme.

Nuk e di kush mund ta arrijë, prandaj nuk mund të krahasohem me të. Kemi kualitet dhe teknik të ndryshme. Unë si Gatuzo, por me më shumë teknikë? Po, kjo mund të thuhet. E kam admiruar njëjtë si Pirlo. Gatuzo ka qenë gjithnjë një idhull prej kur kam qenë fëmijë”, u shpreh Tonali.