Sulmuesi dhe kapiteni i Teutës nën urdhrat e trajnerit, shqetëson mesfushori i dëmtuar

Teuta ka rinisur sot procesin përgatitor në prag të sfidës me Vllazninë që do të luajnë në fundjavë. Në Durrës kanë katër javë pa një fitore ndaj edhe do të synojnë që të marrin 3 pikët në sfidën e radhës me shkodranët.

Gjatë javës së shkuar, trajneri Blendi Shkëmbi ka pasur mungesa lojtarësh, ku kapiteni Sherif Kallaku nuk ka qenë nën urdhrat e korçarit të pankinës durrsake, për shkak se ka qenë i grumbulluar me U-21.

Ndërkohë që, me probleme dëmtimesh janë paraqitur Khalid si dhe Çyrbja. Por, sulmuesi afrikan është bashkuar me skuadrën ditën e sotme.

Tashmë, trajneri Blendi Shkëmbi pret që të ketë Çyrbjen gati në sfidën e radhës ndaj Vllaznisë.

Për gjendjen e tij do të pritet deri në 2-3 ditë para ndeshjes dhe më pas, stafi do të vendosë nëse do ta grumbullojë apo jo në ndeshjen me kuqeblutë, ku durrsakët duan që të marrin me çdo kusht fitoren për të mos iu larguar zonës së kreut të klasifikimit.

E.Saliu/Vipsport.al/